Që pas ngjitjes në 2010-ën, kurbinasit jo vetëm që kanë qenë prezentë mes më të mirëve, por kanë qenë edhe të suksesshëm duke fituar trofe apo pjesëmarrje në Kupat e Europës.
Ekipi i Armando Cungut është skuadra më e mirë gjatë kësaj periudhe që bardhezinjtë janë pjesë e Superiores. Ky fakt vërtetohet nga shifrat që janë dukshëm në favor të skuadrës që më 29 maj i dhuroi Kupën e Shqipërisë për herë të dytë në historinë kurbinasve.
Statistikat
Mbrojtja ka pësuar 19 gola, vetëm një më pak se skuadra kampione e Skënderbeut. Laçianët kanë grumbulluar plot 69 pikë si kurrë më parë, në një kohë që ekipi i Cungut arriti të marrë tetë fitore radhazi nëse i shtojmë edhe një të Kupës si kurrë më parë. Sulmi i Laçit ka shënuar numrin më të madh të golave si kurrë më parë, 46.
Repartet
Reparti i prapavijës ka qenë një nga pikat më të forta të Laçit në këtë sezon. Vujadinoviç, duke përjashtuar problemet familjare gjatë fazës së dytë, ka qenë gjatë të gjithë edicionit në lartësinë e duhur. Në disa raste është dashur të bëhet rotacion dhe ka pasur një tjetër portier më cilësi të larta si Shpëtim Moçka. Mbrojtja ka pasur “të përjetshmin” Buljan që së bashku me Shetën dhe ndonjëherë me Çelën kanë treguar se janë një mur i pakalueshëm duke i dhënë një siguri skuadrës. Laçi ka vuajtur disa mungesa nga krahët e mbrojtjes për arsye dëmtimesh apo kartonësh, por Sefgjinaj, Doku dhe Teqja kanë bërë paraqitje të mira. Sefgjinaj dhe Çela kanë zhvilluar një tjetër sezon pozitiv ndër më të mirët me fanellën e Laçit. Mesfusha ka qenë pika më e fortë e Laçit këto vitet e fundit. Skuadra kurbinase është munduar të ruajë grupin e futbollistëve të repartit të mesfushës.
Emiljano Veliaj me plot gojën mund të themi se ka bërë sezonin e tij më të mirë. Beratasi ka qenë truri i skuadrës së Cungut. Alfred Zefi deri në momentin e dëmtimit ishte pjesë stabël e formacionit bardhezi, por klubi e pa të nevojshëm ndërhyrjen në merkaton e janarit për t’i shtuar grupit disa lojtarë cilësorë si Meto, Sosa, Mitraj e Mustafa. Fieraku Meto te Flamurtari nuk u aktivizua thuajse fare, por me ardhjen e tij në Laç gjithçka ndryshoi. Meto u kthye në një bomber të rregullt javë pas jave, saqë me golat e tij arriti t’i japë shumë pikë skuadrës laçiane. Argjend Mustafa nuk e filloi mirë aventurën e tij, por gradualisht e mori veten duke u kthyer në formën më të mirë.
Sosa e Mitraj sa herë që u aktivizuan treguan vlera. Pas largimit të Erjon Vucajt për te Flamurtari, të gjithë menduan se do ishte shumë e vështirë për t’i gjetur zëvendësuesin, por u gabuan. Presidenca e klubit afroi Marko Cetkoviç, një lojtar me CV të pasur, pasi disa kohë më parë ka qenë pjesë e Kombëtares malazeze. Paraqitjet e Cetkoviç dhe kombinimet e tij me Xhejms kanë dhënë frytet e punës. Sulmi i është besuar krejtësisht sulmuesit nigerian Xhejms Adenji. Ai këtë sezon ka qenë në një formë të jashtëzakonshme. Loja e tij sa vjen e rritet, ndërsa meritat kryesore për trofeun e Kupës i takojnë nigerianit, pasi shënoi golin që dërgoi në finale skuadrën e tij dhe shënoi edhe golin e dytë në fitoren ndaj Kukësit.
Burimi: http://www.panorama-sport.com/2015/06/laci-me-i-mire-i-5-viteve-te-fundit-ja-kush-ishin-aktoret/#ixzz3bw9rcD1l

No comments:
Post a Comment